Samstag, 9. Mai 2020

Ballkani dhe shqiptarët

Ngjarjet e fundviteve ’80 e fillimviteve ‘90 të shekullit që kemi lënë pas e vunë rajonin e Ballkanit, e sidomos Shqipërinë, përballë një morie procesesh të reja në fushën e ekonomisë, politikës, kulturës, shoqërisë e veçmas në atë të sigurisë. Një i tillë ishte globalizmi. Mund të thuhet se rajoni ballkanik, si gjithnjë i vonuar, ka përjetuar efektet e globalizimit pa ditur të jetë pjesë apo pa ditur rolin e tij në këtë proces. Kjo, edhe për arsye të përqendrimit të “vëmendjes” në veprimtari të tjera, si trazirat e brendshme, krizat, konfliktet e luftërat mes veti. Në kundërshtim me elementin themeltar të këtij procesi, siç është relativizmi, shembja, deri edhe zhdukja e kufijve të çfarëdollojshëm, ballkanasit, në mënyrë paradoksale dhe në respekt të traditës së njohur, qenë më të predispozuar për t’i forcuar, ngritur e lartësuar kufijtë e çfarëdollojshëm. Pikërisht, por jo domosdoshmërish prej këtyre arsyeve, pasojat apo pritshmëritë e këtij procesi janë analizuar pak ose shumë pak në opinionin publik të shteteve ballkanike në përgjithësi e Shqipërisë në veçanti. Për sa më sipër, libri më i ri: “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale”, i diplomatit të karrierës prof. dr. Bashkim Rama sjell informacion të bollshëm në lidhje me këtë temë. Analiza e tij përfshin idetë më të spikatura në debatin mbi globalizmin, që rrjedhin prej mendimit politik botëror dhe debatit tradicional e aktual si Kenici Omae, Francois Lyotard, Anthony Giddens, Michael Mann, Martin Shou, Jan Aart Scholte, David Held pa lënë mënjanë Weber-in, Ratzel-in, Haushofer-in, Spykman-in, McLuhan-in apo të mëvonshmin Friedman. Në koherencë me ta, Bashkim Rama trajton globalizmin në aspekte të ndryshme.

Së pari, si një sfidë të pakufishme, duke nxitur debatin midis lexuesit dhe autorit jo vetëm për aspektet më të njohura të globalizmit, por e zgjeron atë me konceptet e gjeopolitikës, identitetit shoqëror, kulturor, fetar, lëvizjeve demografike e sfidave ekonomike. Gjithashtu, edhe raportet e demokracisë me procesin e globalizmit bëhen pjesë e analizës.

Së dyti, duke u nisur nga një bazë e qëndrueshme shkencore, autori përqendron vëmendjen tek objekti kryesor i studimit: ndikimet globaliste dhe efektet e prodhuara prej tyre në faktorin shqiptar në rajon. Nëpërmjet argumenteve, mbështetur në një bazë të gjerë e të lakmueshme bibliografike dhe sidomos eksperience personale, evidentohen rreziqet dhe kërcënimet më të reja të sigurisë, të favorizuara këto nga “pasiguria që prodhon edhe globalizmi”. Kështu, trajtohen aspekte të sigurisë rajonale lidhur me dukuri të tilla si konfliktet etnike, fundamentalizmi, kriminaliteti ndërkufitar, krimet e terrorizmi kibernetik, sigurisë së kulturës kombëtare etj. Një analizë tepër e kujdesshme i bëhet konceptit të legjitimitetit të shtetit, duke e vendosur në raport me legjitimitetin apo mirëqeverisjen. Këtu autori zgjeron debatin duke sjellë shembuj konkretë nga Somalia dhe Bosnja, duke prezantuar përmbajtjen politike dhe diplomatike të “shteteve të dobëta” dhe “shteteve të dështuara”, pastaj përqendrohet në rajonin e Ballkanit, duke analizuar spektrin e ndryshimeve si pasojë e avancimit të globalizimit edhe në këtë rajon. Sipas autorit, “jeta e qytetarëve ndikohet tashmë nga vendime që merren në nivele të ndryshme globale, europiane, rajonale, nacionale, lokale”. Kjo pikërisht përbën ndryshimin thelbësor në aspektin e sigurisë në rajonin ballkanik dhe autori shtron më tutje pyetjen: “A mund të zgjidhen konfliktet midis bashkësive dhe a ka ndonjë pikë hipotetike kompromisi mes atyre që synojnë ruajtjen e integritetit dhe atyre që anojnë nga ndarja?”. Në përgjigje të kësaj pyetjeje autori hedh dritë mbi ngjarjet në atë periudhë kohore jo shumë të ndriçuar, por edhe jo pak të mbajtur mend në Kosovë në vitet 2002-2006, e sidomos trazirat e vitit 2004 në atë vend, për të kumtuar konkluzione se si formësohet vendimmarrja politike nën efektet e globalizmit.

Një element tjetër me vlerë thelbësore në libër është analiza që i bëhet rëndësisë gjeopolitike të demografisë në Ballkan dhe sidomos lëvizjeve demografike. Këtu autori përqendrohet në lëvizjet demografike shqiptare dhe në karakteristikat e tyre, duke evidentuar procese të pashmangshme, por edhe tejet të dëmshme për “sigurinë sociale”, nëse nuk mbahet nën kontroll; vijon me rolin e remitancave, emigracionin dhe problemet e shfaqura gjatë tij.

Në librin “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale”, gjithashtu, trajtohet roli i diplomacisë amerikane dhe angazhimit të saj në Kosovë. Tejet e dobishme për studiuesin e interesuar mbi kapacitetet mbrojtëse të Kosovës është përshkrimi që i bëhet institucioneve të saj të sigurisë dhe kufizimeve që ato kanë për shkak të kufizimeve në sovranitet të qeverisjes në Kosovë.

Duke marrë parasysh temat e trajtuara, autori në libër ka ndërthurur disiplina të ndryshme të shkencës si: diplomacia, politika, sociologjia, filozofia, gjeopolitika. Duke u nisur nga trajtimi shkencor e profesional, ky libër paraqet një studim të mirëfilltë dhe, ndoshta, i pari i këtij lloji që vjen në duart e lexuesit shqiptar, duke kontribuar në debatin më se aktual mbi karakteristikat dhe influencën e globalizimit në jetën shoqërore, debat ky që zhvillohet në të gjithë auditorët e universiteteve botërore, por sidomos në ato perëndimore. Ky libër përbën një referencë të vlefshme për studiuesit, profesionistët apo të pasionuarit pas shkencave të sigurisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare, qoftë për faktin e tematikës së specializuar, por edhe për faktin e përçimit të referencave nga një bibliografi e pasur, por edhe nga një eksperiencë e gjatë diplomatike e vetë autorit, gjë që e bën më interesant studimin. Libri plotëson me autoritet mungesën e botimeve me tema mbi sigurinë rajonale për komunitetin shqiptar në rajon e më gjerë. /g. shqip

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen